Kusari – Lila apelon të mos procedohet mocioni: Të vendoset taksa para pandemisë është absurde
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, në Rubikon të KTV-së ka thënë se është paksa absurde të shohësh skenat me qytetarë duke u përleshur për miell nëpër markete.
“Të shohësh skenat e qytetarëve duke u përleshur për miell në markete të mbushura me produkte të tjera është paksa absurde. Nuk do të ketë mungesë të miellit, sepse mund të merret nga Kroacia nga vendet tjera. Çka nëse tash taksa për lëndën e parë hiqet dhe fillon qarkullimi për lëndë e parë, cili do të jetë qëndrimi i LDK-së? Nëse LDK do të pranonte heqjen e taksës për lëndën e parë tash do të ishim në një situatë krejtësisht tjetër”, tha Kusari-Lila.
Ajo tutje thotë se ishte optimiste se vendi do të shkonte përpara me qeverisjen VV-LDK.
“Është hera e parë që Kurti është në qeveri dhe Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi. Kur ka filluar qeveria, kam qenë optimiste sepse kamë thënë përvoja e LDK-së dhe energjia e Vetëvendosjes, të bashkëdyzuara mund ta qojnë vendin përpara. Nuk është koha të tregojmë kush e ka forcën më të madhe politike, është koha të tregojmë kush e ka durimin dhe përkushtimin më të madh për vendin”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se dy partnerë nuk mund të rrinë në qeveri me zor, “por të kërkosh mocion nuk është në rregull. Edhe sikur të ishte në dorëheqje qeveria, do të duhet të kërkonim të ia vazhdonim mandatin për shkak të krizës”.
Sipas saj Kurti ka treguar që është për kompromis, dhe është i gatshëm të diskutojë.
“Kurti e dëshmoi këtë kur e hoqi Konjufcën, në anën tjetër LDK për shkak të Veliut thirri mocion mosbesimi në kohë të pandemisë. Të vendoset taksa para pandemisë për mua është absurde. Nëse e themi atë se Kosova ka nevojë të tregohet seriozitet, sonte është protestuar kundër politikës, kundër lëvizjeve të cilat njerëzit i kanë vënë në stres. Është situata të kthehet vëmendja tek shëndeti publik, për dialogun me Serbinë mund të flasim në kohë tjetër, nuk kemi nevojë të ia tregojmë dashurinë SHBA por tu përkushtohemi qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Kusari – Lila gjithashtu ka apeluar që të mos procedohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë Kurti në këtë situatë ku është Kosova.