APN-Bujanoc e quan Nagip Arifin ‘tinxarë politik’
Alternativa për ndryshim, dega në Bujanoc ka kritikuar ashpër kreun e PD-së, z.Nagip Arifin, duke e quajtur një ‘tinxarë politik’ i cili sips tyre po thyen unitetin politik e kombëtar.
Akuzat ndaj këtij të fundit vijnë pasi që PD sot ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për listën e zgjedhje lokale por jo edhe për ato parlamentare.
Apn- Bujanoc në deklaratën e tyre thonë se sipas marrëveshjes së arritur në Tiranë për unifkimin e subjekteve politike shqiptare në Serbi, ku krahas grumbullimit të nënshkrimeve për zgjedhjet lokale, do duhej të grumbulloheshin edhe për listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare.
PD-ja e z.Arifiti ishte subjekti i fundit i cili iu bashkangjit listës së përbashkët të shqiptarëve për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 26 prill të këtij viti.
Reagimi i plotë i ApN-Bujanoc:
Është për keqardhje aksioni i sotëm i një subjekti politik në komunën e Bujanocit rreth grumbullimit të nënshkrimeve për Listën e zgjedhjeve lokale.
Do të ishte çdo gjë në rregull poqëse nuk do të kishte një Marrëveshje të Tiranës rreth unifikimit të spektrit politik për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare, nënshkrues e së cilës është edhe partia që sot ndërmori aksionin në fjalë.
Si rezultat i kësaj Marrëveshje, subjektet politike do duhej pritur që krahas nënshkrimeve për Listat garuese në nivel lokal t’i grumbullojnë ato edhe për nivel qendror, që do të ishte teknikisht më e lehtë dhe do ta evitonte maltretimin e njerëzve.
Por rasti i sotëm sjell me vete edhe shumë dyshime që mund të prodhojnë përçarje tek faktori politik shqiptar, sidomos në Bujanoc e që për pasojë do të kishte efekte të dëmshme.
E prirë nga një drejtues tinxarë, që gjithë karrierën e tij politike e ka ndërtuar duke i „ nxënë në befasi „ të tjerët, vet kjo parti mund të bëhet pre e inicimit të përçarjes ndërshqiptare.
Në rolin e tij „ si i pari i katundit „ që shrytëzon edhe ditët e pushimit ( të dielën ) për t’ia „ kurdisur „ të tjerëve është shenjë e keqe se „ ditë të mira po vijnë „.
APN do ta zbatoj në përpikshmëri Marrëveshjen e Tiranës dhe në asnjë mënyrë nuk do të nis grumbullimin e nënshkrimeve veç e veç, por krahas Listës lokale do t’i grumbulloj edhe ato për parlamentare, duke i’a lehtësuar kështu qytetarëve skajshmërisht procedurat dhe duke ia kursyer kohën e tyre të çmuar.