Lajme

DOKUMENT: Kjo është marrëveshja për linjën ajrore mes Kosovës dhe Serbisë

KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, përveç marrëveshjeve për hekurudha dhe autostrada ka siguruar edhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për linjë ajrore.

Marrëveshjet që u mbajtën të fshehta për gati 1 muaj, më në fund janë bërë publike.

Në marrëveshjen, që është quajtur letër e interesit për vendosjen e rrugës ajrore mes Beogradit e Prishtinës, thuhet se kjo përfshin fluturimin direkt përmes rrugëve ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas, duke u nisur apo ateruar në Aeroportin e Prishtinës apo Beogradit, në pajtim me marrëveshjen për linjën ajrore.

“Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror në Aeroportin e Prishtinës është autoritet kompetent për të ofruar shërbime të Kontrollit Ajror brenda sektorit të KFOR-it. KFOR-i është autoriteti kompetent për të siguruar mbikëqyrje që provizionet e shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror (ATC) brenda sektorit të KFOR-it, që të realizohen në mënyrë të sigurt”, thuhet në këtë dokument.

Mes tjerash, në këtë marrëveshje thuhet se kjo përfshin por nuk kufizohet për mbështetjen e menaxhimit për pasagjerë mallra dhe shërbime postare, furnizimin me karburant dhe mbështetjen gjatë afrimit dhe nisjes së fluturimit, shërbimin ndaj pasagjerëve, mallrave, bagazheve dhe hyrje/daljen e pasagjerëve që fluturojnë sipas marrëveshjes.

Siç thuhet në dokument, shërbimet do të gëzojnë nivelin e njëjtë të shërbimeve sikur të gjitha shërbimet e tjera për dhe nga Prishtina.

“Institucionet në Kosovë konfirmojë që operimi nga dhe për në Beograd/Prishtinë dhe anasjelltas do të operojnë pa tarifa shtesë, taksa apo pagesës për shërbime sipas kësaj marrëveshje”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Në dokumentin në fjalë figuron data 20 janar 2020 dhe duket se është nënshkruar nga Eset Berisha nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, megjithëse nuk ka asnjë emër nën nënshkrim.

Takimi i arritjes së marrëveshjes në Berlin të Gjermanisë, ishte drejtuar nga Richard Grenell, i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Këshilli Kombëtar për Siguri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur historike arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore Prishtinë- Beograd.