Këmbëngulja e Turqisë, i kërkon Shqipërisë të arrestojë gylenistët
Kërkesa për të luftuar grupin FETO që Turqia e cilëson si terrorist është permanente ndaj Shqipërisë.
Kjo është bërë e ditur dhe në takimin e fundit që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pati me homologun e tij turk, Süleyman Soylu.
Takimi është zhvilluar disa ditë më parë, por ajo që bie në sy në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme shqiptare është hequr pjesa ku shteti turk vazhdon të insistojë në kërkesën e saj për luftën kundër grupit FETO, raporton Gazeta Si.
“Gjatë takimit në Ministrinë e Brendshme, ministri Soylu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, bashkëpunim i cili sipas tij, mbështetet në faktorë historikë, si dhe praninë e madhe të faktorit shqiptar në Turqi. Më tej, z. Soylu e vuri theksin në krijimin e një klime më të ngushtë komunikimi mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët si ajo e sigurisë, migracionit të paligjshëm dhe luftës kundër terrorizmit, për të cilat kërkoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Ndërsa në njoftimin e ministrisë apo në agjencitë turke përcaktohet se kërkohet bashkëpunimi konkret për të luftuar njerëzit e Abdullah Gylen, të cilin Erdogan e cilëson si personin përgjegjës që inicioi grushtin e shtetit në Turqi tre vite më parë.
“Shpresoj të përfitojmë nga përvoja e njëri-tjetrit dhe t’i vlerësojmë hapat që do t’i hedhim së bashku veçanërisht në fushën e sigurisë, rasteve kriminale, të sigurisë, por edhe kundër FETO-s dhe terrorizmit. Po ashtu, lidhur me rajonin tonë, kemi tema të cilat do t’i diskutojmë dhe vlerësojmë, duke filluar nga migrimi i parregullt e deri te lufta kundër lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme turke.
Lleshaj në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
Ankaraja zyrtare i ka paraqitur kërkesë zyrtare Shqipërisë për ekstradimin e personave që dyshohen si pjesë e FETO-s grupi që cilësohet si terrorist, të cilët jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vendin tonë. Gjithashtu një ndër kërkesat kryesore është edhe mbyllja e disa shkollave që njihen si pjesë e fondacionit Hizmet, themelues i të cilit është Abdullah Gylen. Një kërkesë e drejtpërdrejtë u bë edhe nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu gjatë vizitës në Tiranë në tetor të vitit të shkuar.