Lajme

Osmani: Taksa s’na mbron nga diskutimet për kufij, Qeveria e Kuvendi s’i lejon ato tema

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se taksa për mallrat e Serbisë nuk i mbron më kufijtë e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sipas saj, tashmë kufijtë i mbrojnë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

“Sot tarifa nuk na mbron nga diskutimet për kufijtë. Është Qeveria dhe Kuvendi që nuk lejojnë diskutimet për kufijtë. Jemi ne që nuk do t’i lejojmë këto tema. Nuk na mbron më taksa”, ka thënë Osmani për televizionin publik.

Ajo gjithashtu ka thënë se kur Qeveria e kaluar e kishte vendosur taksën ajo ishte një masë mbrojtëse për idenë e ndryshimit të kufijve në dialog me Serbinë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mund t’i dëgjojë qëndrimet e Kosovës dhe se deklaratat e tij nuk shërbejnë si kriter që Kosova të ndërtojë qëndrimet e veta.

Ajo në një intervistë për televizionin publik, është pyetur për qëndrimin e presidentit serb për reciprocitetin e paralajmëruar nga Qeveria e re e Kosovës.

“Vuçiqi i cakton qëndrimet e Serbisë, kurse qëndrimet e Kosovës i caktojnë përfaqësuesit e Republikës së Kosovës. Vuçiqi nuk është person që mund të përzihet në qëndrimet tona. Ai do t’i dëgjojë qëndrimet tona kur do t’i prezantojmë ato. Ai le të harrojë që ne do t’i dëgjojmë qëndrimet e tij si kritere për të ndërtuar qëndrimin tonë”, ka thënë Osmani.

Vuçiqi ka thënë gjatë ditës se Kosova nuk mund t’i vendosë reciprocitet Serbisë.