Opinione

Alon Ben-Meir: Serbia ta pranojë faktin që Kosova është e pavarur, e kjo ta heqë taksën

Profesori i Universitetit të New York-ut, Alon Ben-Meir tha se Serbia duhet të pranojë faktin që Kosova është e pavarur, dhe gjithashtu, Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe.

Meir një studiues në Qendrën për Çështje Globale në New York, i tha Zërit të Amerikës se Serbia duhet të arrijë një përfundim të thjeshtë, bazë “Kosova është një fakt i jetës, është një vend i pavarur”.

“E kanë njohur afro 100 vende. Rreth 15 vende e kanë tërhequr njohjen, për shkak të presionit të Serbisë. Serbia duhet t’i japë fund kësaj fushate. Nga ana tjetër Kosova duhet të heqë tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë. Rifilimi i fluturimeve, që u realizua me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, është një fillim i mbarë. Ky është këndvështrimi që duhet të ketë Kosova”, tha Meir.

Ai gjithashtu tha se të dyja palët duhet t’i ndërmarrin këto hapa, duke e njohur realitetin.

“Janë fqinjë, duhet të marrin e japin me njëri-tjetrin. Duhet ta pranojnë se disa realitete në terren që ata nuk mund t’i ndryshojnë. Dhe kur të arrijnë në atë pikë, veçanërisht Serbia, mendoj se do të ketë përparim”, tha tutje Meir.

Meir ka folur edhe për faktin se Kosova po përjeton edhe një ngecje politike, pasi nuk ka ende një marrëveshje për qeverinë. “Mendoj se është diçka e keqe. Populli votoi për atë që donte, që kërkonte: një qeveri të pastër, që do t’i bënte gjërat ndryshe. Dhe kanë kaluar tre-katër muaj dhe nuk ka ende qeveri. Është thjesht e papranueshme. Duhet të vendosin se çfarë duhet të bëjnë. Dhe diskutimet mes dy palëve nuk janë as për politika, janë më shumë për çështje personaliteti dhe është për të ardhur keq. Duhet t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet personale. Mendoj se populli i Kosovës do që të shohë që t’i jepet fund këtij bllokimi, sepse duan të vazhdojnë jetën e tyre, duan një qeveri funksionale, një qeveri të pastër dhe është e drejta e qytetarëve që ta kërkojnë një gjë të tillë dhe nëse nuk e arrijnë këtë, duhet të shpallin zgjedhje të reja”, tha tutje Meir.

Alon Ben-Meir tha se mendon se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë angazhimin e tyre.

“Nuk dua të nënvlerësoj atë që po bën BE-ja, madje duhet të bëjë më shumë se Shtetet e Bashkuara, por përpjekjet amerikane janë të rëndësishme. Ata e shohin Amerikën si fuqinë më të madhe dhe kanë më shumë afërsi me të, edhe sesa me Evropën. Amerika duhet të vazhdojë të luajë këtë rol për të çuar përpara interesat e saj, si edhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit në tërësi nga perspektiva e sigurisë”, përfundoi Meir.