Atentat ndaj Kovaçeviç mund të jetë porositur nga ish-shoku i skuadrës
Atentati ndaj ish-futbollistit të Real Sociedad, Juventus, dhe Olympiacos, Darko Kovacevic mund të jetë porositur nga një ish-shok skuadre.
Kovaçeviç u qëllua nga persona të maskuar në Athinë. Sipas autoriteteve vendase kemi të bëjmë me një ngjarje të organizuar nga profesionistë pasi makina me të cilin iku atentatori ishte e vjedhur në Selanik muaj më parë, ndërkohë që targa i përkiste një mjeti tjetër.
Megjithatë nuk është përjashtuar mundësia që ky mund të ketë qenë një paralajmërim.
Ajo që e bën ngjarjen më të habitshme është se ky paralajmërim mund të ketë ardhur nga ish-shoku i tij i skuadrës tek Olimpiakos, Raul Bravo.
Mediat serbe kanë përhapur mundësinë e bujshme të përfshirjes së Bravos në këtë histori duke u bazuar tek një ngjarje tjetër e cila ka sjellë arrestimin e këtij të fundit.
Raul Bravo ka qenë i përfshirë bashkë me 11 persona të tjera në një skandal ndërkombëtar të basteve sportive , ku mendohet të ketë pasur një rol kryesor duke çuar në arrestimin e tij në majin e kaluar. Për këtë çështje mendohet se Kovaçeviç ka patur dijeni për detaje që mund të komprometonin edhe më shumë pozicionin e spanjollit dhe për këtë arsyeje i është dërguar një “mesazh” i qartë për të mbajtur gojën të kyçur.