Të fundit

Vetëvendosje publikon ofertën e re për LDK-në, propozon rritjen e qeverisë në 14 ministri

Besnik Bislimi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka publikuar në Facebook, ofertën e fundit që kjo parti i ka bërë LDK-së për formimin e qeverisë. Ka konfirmuar edhe raportimet për rritjen e qeverisë nga 12 ministri në 14.

Ai ka thënë se kjo ofertë i është dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, mbrëmë. Sipas tij, në përpilimin e këtij propozimi, “Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për ta rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton assesi) vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh”.

“Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta determinojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi”, ka thënë tutje ai.

Në fund Bislimi ka publikuar edhe letrën e kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti drejtuar Mustafës.

Si propozim i parë është paraparë rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14, ku VV-ja do të kishte pesë ministri e LDK-ja gjashtë. Ministria shtesë për LDK-në vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV-ja. 3 ministri i kanë pakicat. Zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së e i dyti VV-së.

Pikë e dytë parashihet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet ashtu që Kultura e Rinia i bashkohen asaj të Arsimit, ndërsa e Sportit asaj të Shëndetit. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

Në pikën e tretë, thuhet se “bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in”.

“Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës”, ka thënë në fund Kurti.

Ky është postimi i Bislimit:

PROPOZIMI I VETËVENDOSJES PËR ARRITJEN E KOALICIONIT ME LDK-në

Në takimin e fundit me ekipin e LDK-së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes! Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media gjatë ditës së sotme nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media.

Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta determinojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi.

E shoh poashtu të rëndësishme që opinioni publik të jetë në këtë moment i mirinformuar për elementet kryesore të propozimit të VV-së që i është dërguar kryetarit Mustafa, andaj edhe po e bashkangjes dokumentin më poshtë.

Propozimi i drejtuar kryetarit Mustafa

I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,

Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:

1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.

2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës.

Me respekt,

Albin Kurti, Kryetar i LVV