Të fundit

Salihu: Mungesa e sigurisë dhe mungesa totale e higjienes në kampin e refugjatëve janë shqetësuese

Kryetari i Kuvendit z.Sami Salihu sot zhvilloi një vizitë në Kampin e Refugjatëve në Preshevë. Ai pa për së afërmi situatën dhe e vlerësoi atë tejet shqetësuese, raporton Ministrialajmeve.com.

Sipas tij ka mungesë të sigurisë përshkak të mosprezencës së forcave të rendit si dhe mungesa totale e higjienës është alarmante.

Pas evidentimit të këtyre problemeve, Kryetari i Kuvendit do t’i adresojë ato te Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, si dhe Enti për Shëndetësi Publike në Vranjë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm në suaza të përgjegjësive ligjore por edhe morale.

Së fundmi është riaktivizuar Kampi i Refugjatëve në Preshevë me rritjen numrit të tyre të cilët vazhdojnë të vijnë nga Lindja e Mesme. Aktualisht janë rreth 900 refugjatë të vendosur në këtë kamp, ku marrin shërbimet e nevojshme.

Ju rikujtojmë që gjatë periudhës 2015-2018 nëpër qytetin e Preshevës kanë kaluar mbi 1 Milion refugjatë të cilët për destinacion kishin vendet e Europës.

Statusi i plotë i Kryetarit Salihu në llogarinë e tij në FB:

Sot, së bashku me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale – Preshevë, vizituam Kampin e Refugjatëve, që u riaktivizua para disa muajve për shkak të numrit të madh te refugjatëve që vazhdojnë të vijnë nga Lindja e mesme.
Mirëqenia sociale e tyre ishte ajo që më brengosi më së shumti! Mungesa e sigurisë, e konkretisht mosprezenca e personelit zyrtar për rend dhe qetësi e mungesa totale e higjienes ishin më shqetësuese, por edhe alarmante, gjithashtu. Mundësia për përhapje të ndonjë epidemie ishte dhe është reale.

Tanimë numri i refugjatëve ka kaluar shifrën e 900 personave, kurse stafi mjekësor kujdestar të cilin Komuna e financon, brenda ditës ka mbi 100 pacientë, e që në suaza normale afatgjate e ka te pamundur ta perballoj këtë numër kaq të madh.
Pas identifikimit të problemeve, si Kryetar i Kuvendit, por edhe si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Komunale menjëherë do ti adresojmë kërkesat tona Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe Entit për Shëndetësi Publike në Vranjë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm në suaza të përgjegjësive ligjore por edhe morale.