A i shtyri Hashim Thaçi tre deputetët e minoriteteve që t’i bashkohen LDK-së?
Tri ditë më parë, Presidenti Hashim Thaçi, i kishte thirrur në një takim deputetët që përfaqësojnë pakicat në Kuvendin e Kosovës.
Takimi maratonik që kishte nisur më 7 dhjetor, përfundoi tek pas orës 2 të natës.
Mediat atë ditë raportuan për takimin, po ende nuk dihet për çfarë është diskutuar saktësisht. As deputetët pjesëmarrës në takim dhe as Zyra e Presidentit s’e thanë asnjë fjalë rreth kësaj çështjeje.
Por vetëm tri ditë më pas Gazeta Insajderi ka mësuar se deputetët që ishin në takimin e stërzgjatur me Thaçin kanë vendosur t’i bashkohen Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ata janë Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim,Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptian dhe Albert Kinolli nga Partia rome e Bashkuar e Kosovës. Kalimi i tyre në Grupin Parlamentar të LDK-së pritet të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme.
Kështu së paku ka mësuar Gazeta Insajderi nga burimet e saj.
Kësisoj, LDK do të jetë grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, pra me 31 deputetë.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të 6 tetorit, do të dal në vendin e dytë sa i përket numrave në Kuvend, me vetëm një deputet më pak.
Partia e Albin Kurtit ka fituar 29 ulëse në legjislativ. Mirëpo, edhe VV-së i është bashkuar deputeti i Partisë Egjiptiane IRDK, Elbert Krasniqi, duke çuar numrin e deputetëve në 30.