Bota

Turqia fton Malajzinë për prodhimin e përbashkët të Avionit Luftarak Kombëtar

Turqia ka ftuar Malajzinë për prodhimin e përbashkët të platformave ajrore unike të saj, të cilat janë zhvilluar kohët e fundit.

Drejtori i përgjithshëm i Kompanisë Turke të Industrisë Ajrore dhe Hapësinore (TUSAŞ/TAI), Temel Kotil, deklaroi të premten për Agjencinë Anadolli (AA) se Malajzia mund të kontribuojë në teknologjinë e avionit me aftësinë e saj prodhuese të pjesëve avionike.

Kotil bëri me dije se Turqia ka ftuar Malajzinë për prodhimin e përbashkët të reaktivit unik turk për trajnim dhe sulm të lehtë, i cili është quajtur “Hurjet”.

“Hurjet është një avion shumë i mirë si për trajnim ashtu edhe për sulm të lehtë. Ne duhet të gjejmë një partner ndërkombëtar. Është një projekt i madh, jo vetëm për Turqinë. Oferta jonë tërhoqi vëmendje e Malajzisë dhe ne presim një qasje pozitive”, tha ai.

Duke iu referuar helikopterit kombëtar për qëllime të përgjithshme, “Gokbey”, kreu i Industrisë Ajrore dhe Hapësinore të Turqisë tha se ai është një projekt i përsosur dhe mund të përdoret globalisht.

“Gokbey do të shkojë në çdo vend një ditë. Prodhimin e tij ia kemi ofruar edhe Kazakistanit, edhe Malajzisë, edhe Pakistanit. Ky është helikopteri më i fundit që është bërë në këtë kategori në botë. Duke qenë se është prodhimi më i fundit, ky është helikopteri më i mirë dhe më cilësor; rrjedhimisht del në plan të parë”, theksoi Kotil.

Sipas tij, “Gokbey” është helikopteri i parë i myslimanëve.

Ndërsa Avioni Luftarak Kombëtar (MMU/TF) – vijoi ai – do të jetë avioni i parë luftarak i madh dhe “Atak-2” helikopteri i parë sulmues i kategorisë së rëndë dhe i gjeneratës së re i myslimanëve.

“Prandaj shfaqet nevoja për bashkëpunim. Malajzianët i kushtojnë shumë rëndësi dhe ofruan shumë kredi”, shtoi Kotil duke nënvizuar se Turqia ka bërë revolucion në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit.

Temel Kotil tha gjithashtu se Kompania Turke e Industrisë Ajrore dhe Hapësinore mund të shkëmbejë teknologjinë e saj në lidhje me projekte të tjera, të tilla si mjetet ajrore pa pilot “Anka” dhe “Aksungur”.

“Jo më kot na janë bërë nderime të mëdha nga Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad”, përfundoi ai.