Veseli: Albin Kurti dhe Isa Mustafa s’po shohin përtej kolltukëve të tyre
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë ekskluzive për IndeksOnline ka thënë se Albin Kurti e Isa Mustafa nuk mund ta mbajnë peng Kosovën.
Ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se Kurti nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi për vendin, sepse gjithë jetën e tij politike e ka kaluar duke qenë i papërgjegjshëm ndaj shtetit dhe kombit.
Ndërsa për Isa Mustafën, Veseli thotë se e ka marrë peng partinë e tij, ose është peng i saj, të përçarë në fraksione të individëve që luftojnë hapur e fshehtas për ta zënë fronin e tij, fronin e një partie e cila tash e 16 vjet marshon nga njëra humbje elektorale në tjetrën…
IndeksOnline: Janë bërë tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe Kosova ende nuk e ka Qeverinë e saj të re. Dy partitë që është pritur se do ta krijonin koalicionin qeverisës, VV dhe LDK, në mungesë të marrëveshjes, kanë hyrë në ngërç. Si po e shihni ju tërë këtë situatë, ndonëse PDK ka zgjedhur kryesisht të heshtë prej mbrëmjes së 6 tetorit?
Kadri VESELI: Atë mbrëmje të 6 tetorit, siç e dini, unë iu adresova qytetarëve dhe gjithë spektrit politik, duke pranuar rezultatin zgjedhor, ende pa u shpallur ky rezultat nga institucionet kompetente të shtetit. E bëra këtë për dy arsye: E para, për të respektuar vullnetin e lirë të qytetarëve dhe standardin demokratik të pranimit politik të rezultatit, edhe kur ai nuk është në përputhje me pritjet që kemi. E dyta, adresimi im ishte për partitë që dolën të parat në zgjedhje që të procedonin sa më parë me përgatitjet për konstituimin e institucioneve të reja qeverisëse.
Nuk mund të pretendosh të fitosh në demokraci dhe të mos e pranosh humbjen kur ndodh. Rotacioni paqësor i pushtetit është një nga gjërat më të bukura të demokracisë.
Por, që nga ajo ditë, qytetarët e Kosovës, dhe unë bashkë me ta, kemi ndjerë vetëm zhgënjimin dhe zbulimin e mashtrimeve të mëdha nën maskën e premtimeve të mëdha demagogjike e populiste.
Dhe jo vetëm mashtrimet parazgjedhore, por edhe mashtrimin e madh paszgjedhor të VV-së dhe LDK-së, se për ta parimet dhe programi qeverisës kanë rëndësi, e jo postet.
Në këta tre muaj e pamë se e kundërta është e vërtetë: për ta, postet dhe pazaret janë gjithçka, ndërsa parimet dhe shteti asgjë! Për ta, akomodimi personal në karriget e pushtetit është interesi i dorës së parë, ndërsa interesi qytetar e shtetëror është i dorës së dytë e tretë.
IndeksOnline: Ndërkohë që ende nuk kanë filluar të rrjedhin afatet ligjore për Mandatarin e Qeverisë, e shini si normale në politikë këtë zvarritje të arritjes së marrëveshjes, apo mendoni se vendi po zhytet në paqartësi?
Kadri VESELI: Vendi është duke kaluar situatë delikate. Kemi hyrë në vitin e ri buxhetor, pa buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Jemi duke lëvizur me të shpejtë drejt një situate kur shteti, në mungesë të Qeverisë, nuk do të jetë në gjendje të bëjë pagesat për mijëra punëtorë të sektorit publik, shërbyesit civilë, arsimtarët, mjekët, policët, ushtarët, profesorët e edukatorët e çerdheve. As për pensionistët, as për kategoritë tjera sociale dhe as të vazhdojë me implementimin e projekteve investive. Krejt kjo falë këtyre që nuk shohin përtej kolltukëve të tyre, sepse këta vetëm një punë dinë ta bëjnë: të bllokojnë çdo gjë dhe secilin që nuk përkon me interesat e tyre personale.
Ne duhet të veprojmë, për të mos i lënë edhe më tutje këta të papërgjegjshëm që ta turpërojnë edhe më shumë shtetin e Kosovës. Nëse nuk veprojmë, bëhemi pashmangshëm pjesë e fajit të tyre.
IndeksOnline: Çfarë po nënkuptoni me këtë “veprim”?
Kadri VESELI: Dështimi i tyre për ta bërë Kosovën me Qeveri, nuk guxon të bëhet dështimi i vetë Kosovës. Ne nuk duhet të lejojmë që dështimi i tyre të kthehet në favor për propagandën e Serbisë, e cila ditë e natë nuk ndalon së vepruari për ta paraqitur Kosovën në sytë e botës si një shtet i dështuar. Ne nuk duhet të lejojmë që për shkak të këtyre kolltukxhinjëve, vendi ynë të shndërrohet në vend të pashpresë. Kosova nuk mund t’i presë pafundësisht ata. Nëse nuk i besojnë njëri-tjetrit, le ta thonë hapur. Fati politik i Albin Kurtit dhe i Isa Mustafës nuk është fati i Kosovës.
IndeksOnline: Por, qytetarët kanë zgjedhur që VV dhe LDK ta qeverisin vendin. Është fati i tyre, është vullneti qytetar që po përpiqet të vihet në jetë…
Kadri VESELI: Albin Kurti nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi për vendin, sepse gjithë jetën e tij politike e ka kaluar duke qenë i papërgjegjshëm ndaj shtetit dhe kombit. Qeverisja është krijim, e jo shkatërrim, e Kurti vetëm këtë të dytën e ka specialitet. Albin Kurti askujt nuk i beson dhe asnjë nuk beson; propagandon qëndrime politike, por asnjërës nuk i shkon deri në fund! I tillë do të jetë edhe fundi i tij politik. Ndërkaq, Isa Mustafa e ka marrë peng partinë e tij, ose është peng i saj, të përçarë në fraksione të individëve që luftojnë hapur e fshehtas për ta zënë fronin e tij, fronin e një partie e cila tash e 16 vjet marshon nga njëra humbje elektorale në tjetrën.
Kosova nuk u ka borxh këtyre interesave personale. Drama e tyre, nuk është dramë e Kosovës. Kurti dhe Mustafa nuk mund ta mbajnë peng Kosovën.
Ky vend ka zgjidhje. Ka shpresë dhe të ardhme. Ka njerëz të mrekullueshëm; njerëz që dje dhanë gjithçka që patën për liri e pavarësi dhe sot janë të gatshëm të veprojnë për të mos lejuar që shteti të bjerë në moçalin e ndotur të interesave të ngushta partiake. Ka miq të mrekullueshëm, të cilët ishin me ne në kohët më të vështira për kombin tonë, e janë edhe sot në sfidat që po kalojmë, si shtet i ri. Mospërfillja dhe arroganca në raport me miqtë e Kosovës e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë kapitalin më të madh politik që ka shteti ynë: partneritetin dhe miqësinë me vendet perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
IndeksOnline: A mendoni se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, nëse VV dhe LDK nuk ia dalin të merren vesh për formimin e Qeverisë? A është kjo zgjidhja? Apo, mund të shohim kthesa tjera?
Kadri VESELI: Qeveria e Kosovës duhet të formohet sa më parë. Nuk duhet të humbet kohë edhe më tutje. Nëse kjo nuk ndodh shpejt, nëse kolltukxhinjtë Kurti dhe Mustafa nuk u japin fund pazareve të tyre, atëherë i vetmi opsion që kemi përpara janë zgjedhjet e parakohshme. Vonesat dhe bllokada duhet të marrin fund. Përgjegjësit e tyre duhet të përballen me verdiktin e popullit. Fundja, edhe vende të tjera demokratike sikurse Spanja e Izraeli kanë shkuar në disa zgjedhje të njëpasnjëshme vjet, në kushtet kur partitë fitimtare s’kanë mundur të formojnë koalicion qeverisës.
Sovrani duhet të vendosë, kur përfaqësuesit e tij nuk janë në gjendje të vendosin. Ky është ligji themelor i demokracisë dhe ne pa vonesë duhet t’i bindemi atij. Përndryshe, pasojat do të jenë të pariparueshme për qytetarët dhe për vendin.