Lajme

Rrëfimi tronditës se si ishte rrahur Albin Kurti për vdekje në burgun e Serbisë

Ish i burgosuri politik, Enver Dugolli, ka shpalosur një rrëfim se si gardianët e burgut në Serbi, e kishin rrahur për vdekje, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan Gazeta Blic.

Ngjarja sipas Dugollit kishte ndodhur në qershor të vitit 1999, teksa thotë se kishin menduar se janë duke i rrahur disa persona, por në fund kuptuan se zëri nga bërtitjet kishte qenë i Albin Kurtit.

Të mbetet pak për të menduar në ato çaste, por ajo pak ta shpon trurin. Vetëm më vonë mësuam se fjala ishte vetëm për një njeri. Njeriu që ishte rrahur për vdekje nga gardianët e burgut, gjithë natën deri në mëngjes, ishte Albin Kurti…”, ka shkruar Dugolli.

Lexoni postimin e plotë të Enver Dugollit

9 qershor 1999, Burgu i Lipjanit

“…Na kapi fort shqetësimi ngaqë dëgjonim një rrahje të pamëshirshme dhe të pandërprerë diku prej një dhome të burgut. Duhet të ishte ora dhjetë e mbrëmjes kur kishte nisur rrahja. Nuk po ndalej. Në fillim dëgjohej vetëm një gjysmë zëri i njeriut që rënkonte nën goditjet. Ngaqë goditjet ishin shumë të shpeshta, ne gjykonim se po torturonin disa të burgosur njëkohësisht. Edhe atë gjysëm zëri nuk e dëgjonim më, por goditjet po. Ato vazhdonin me të njëjtin vrull. Lidhëset plastike në duar dhe zhurma e goditjeve në vesh na mbanin zgjuar. Të mbetet pak për të menduar në ato çaste, por ajo pak ta shpon trurin. Vetëm më vonë mësuam se fjala ishte vetëm për një njeri. Njeriu që ishte rrahur për vdekje nga gardianët e burgut, gjithë natën deri në mëngjes, ishte Albin Kurti…”