Bota

Përgjaket kisha në Teksas- Sulm me armë zjarri, 3 të vdekur dhe 3 të plagosur

Dy besimtarë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në Teksas, si pasojë e një sulmi me armë zjarri brenda një kishe.

BBC raporton se fill pas sulmit të personit në fjalë, pjesëtarët e armatosur të kishës e kanë qëlluar sulmuesin për vrasje. Sipas një ligji të miratuar në muajin shtator, personat që kanë leje, mund t’i mbajnë armët e tyre edhe në vendet e lutjes.

Dëshmitarët kanë raportuar se sulmuesi kishte një mjekër të rreme dhe syze, si dhe ka bashkëbiseduar me besimtarët para se të niste sulmin. Byroja Federale e Kërkimeve (FBI) është duke e ndihmuar policinë lokale në procesin e hetimeve, e cila është duke synuar të identifikojë motivin e sulmuesit.
Teksasi është përballur me një varg sulmesh me armë zjarri në 2019-n. Në muajin gusht, 22 persona janë vrarë dhe 24 të tjerë janë plagosur në një dyqan në El Paso.
Në po të njëjtin muaj, disa të shtëna të tjera kanë rezultuar me vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve në Odesa të këtij shteti.