LajmeTë fundit

Mustafa: Kurti e incizoi videon para 2-3 ditësh e publikoi mbrëmë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se janë pajtuar që 28 deputetët e partisë së tij të votojnë për propozimet e Vetëvendosjes lidhur me seancën konstituive.

Ai komentoi edhe videon e kryetarit të VV-së, Albin Kurti për të cilën tha se e ka incizuar para dy-tri ditësh por e ka publikuar mbrëmë.

I pyetur nëse kanë kontaktuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje që nga dje kur Kurti shpjegoi për arsyen e bllokimit të marrëveshjes, Mustafa tha se “nuk kanë nevojë të thërrasin Kurtin dhe ta pyesin se përse po inçizon video dy-tri ditë më herët për t’a lansuar një ditë para konstituimit të Kuvendit”

“Si po vjen me mu me bisedu e po përgatitë video dy tri ditë përpara e pastaj një natë para Kuvendit me iu drejtu popullit”, tha Mustafa.

Ai tha se së pari duhet të përmirësojmë sjelljen në dialogun mes VV-së dhe LDK-së.

“Të ulemi duke respektuar njëri tjetrin sepse Qeverinë duhet me bë vet dhe nuk vjen askush nga jashtë për të na formuar qeverinë”, tha Mustafa.