Lajme

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Veseli prapë akuzon Kurtin e Konjufcën lidhur me “Syrin e Popullit”

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit, në përgjegjësi të kryetarit nga legjislatura e mëparshme, Kadri Veseli, ky i fundit është prononcuar për media.

Veseli para mediave tha se sot zyrtarisht ka përfunduar mandatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Por as nga këtu, s’ka lënë pa e përmendur organizatën “Syri i Popullit”, transmeton Koha.net.

Sot, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dëshmuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në lidhje me pretendimet e tij dhe të nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca për “deklaratë të rrejshme nën betim” të presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Por Veseli, tha se tentativa për t’i ikur të vërtetës e “paaftësia për të ndërtuar koalicionin e ardhshëm është e dyfishtë”.

“Tentativa për t’i ikur të vërtetës dhe paaftësia për ta krijuar koalicionin qeveritar me improvizime për Syrin e Popullit është një tentativë e dyfishtë nga paaftësia për të realizuar premtimin që e kanë pasur para qytetarëve të vendit Lëvizja Vetëvendosje. Syri i Popullit nuk është diçka fiktive por është reale. Ka njeri të plagosur. Ka njeri të zënë në flagrancë në veprim. Ka veprime të cilat janë konsistente të cilat janë promovuar që nga Kuvendi i Kosovës e pastaj edhe në rrugë. Ka djegie të makinave, ka sulme të eskortës së kryeministrit, ka sulme të zëvendëskryeministrave, ka sulem të deputetëve, ka sulme të familjeve të eksponentëve që kanë qenë gjatë këtyre pesë viteve në qeverisje në pjesën e pozitës, e të cilat i kanë bërë Syri i Popullit. Pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet e mendon se në rrethana të reja mund t’i mbyllë rastet, nuk do të mbyllen rastet. Donë të thotë secili duhet të përgjigjet për veprimet që i ka kryer. A sa për mua, unë do t’i shkojë deri në fund në aspektin ligjor dhe bash nuk bënë përshtypje për asnjë individ”, tha Veseli.