Drogë dhe vrasje, ekstradohen nga Kroacia dhe Italia dy shqiptarë
Dy persona të dënuar për vepra të ndryshme në Shqipëri janë ekstraduar nga Kroacia dhe Italia. Mësohet se nga Kroacia u ekstradua drejt Shqipërisë, Joland Bushati, 35 vjeç, banues në Lekbibaj.
35 vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg, i cili ka marrë formë të prerë me datë 04.01.2019, për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Bushati në bashkëpunim me shtetasin A. P., ka grabitur me armë pasagjerët e linjës “Bajram Curri-Lekbibaj” duke qëlluar për vdekje shtetasin N. Gj., me detyrë punonjës policie. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Zagreb/Kroaci, u bë i mundur arrestimi i tij në Kroaci dhe ekstradimi drejt vendit tonë.
Ndërkohë, nga Italia është bërë dhe ekstradimi i Vladi Sinani alias Vladimir Sinani, 29 vjeç, lindur në Bulqizë. 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.