BE-ja i reagon Vuçiqit për Reçakun: S’mund të mohohet ajo që ka ndodhur në Kosovë gjatë 1999-ës
Zyrtarë të ndryshëm serb në Prishtinë dhe liderë shtetëror në Beograd vazhdojnë që të mohojnë krimet që ka kryer në Kosovë regjimi i Sollobodan Millosheviqit. E deklarime të tilla të cilat tentojnë të mohojnë gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë janë të papranueshme edhe për Bashkimin Evropian.
Cilësimi skandaloz i presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiqit, se “Masakra e Reçakut është një fabrikim i Willaim Walker “ është i papranueshëm për Bashkimin Evropian.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra për media e BE-së kanë thënë se qëndrime të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet në përgjigje.
Sipas Brukselit zyrtar nuk ka vend për mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Reçak përgjatë janarit të vitit 1999.
“Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që kanë ndodhur në Reçak në Kosovë gjatë janarit 1999”, potencohet nga BE.
Sipas tyre rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për pajtim, dhe për punë të ndershme në respekt të viktimave.
“Autoritete duhet të punojnë që e kaluara të vlerësohet në mënyrë të ndershme dhe ashtu siç është në respekt të viktimave. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, shtohet tutje nga zyra për media e BE-së.
Ndërkohë sa i përket dënimit me dy vjet burg për ish-ministrin e Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, për deklarimet rreth Masakrës së Reçakut, nga BE thonë se u përket Gjykatave që të përcaktojnë nëse deklarata të caktuara përbëjnë vepra penale.
“U përket Gjykatave që të përcaktojnë nëse deklarata të caktuara përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional duke marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes”, përfundon përgjigja e zyrës për media të Bashkimit Evropian dhënë Gazetës Express.
Deklarimet e Aleksadner Vuçiqit në mbështetje të Ivan Teodosijeviqit i kanë dënuar edhe krerët më të lartë të Republikës së Kosovës dhe ambasadorja kosovare në Washington, Vlora Çitaku.
Ivan Teodosijviq është dënuar me dy vjet burg, meqë e ka cilësuar Masakrën e Reçakut si fabrikim.
Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtëquajtura katastrofë humanitare në Kosovë.Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtëquajtur paqësor në Kosovë” kishte thënë Teodosijevic.
Më herët nga posti i ministrit ishte shkarkuar Aleksander Jaballanoviq pasi i kishte quajtur ‘egërsira’ nënat nga Gjakova të cilat kërkonin drejtësi dhe zbardhje të fatit të familjarëve të tyre të zhdukur.