Rusia e mbush armatim Serbinë, dorëzon sistemin raketor ‘Pancir S’
Sistemi rus i mbrojtjes kundërajrore “Pancir S” do të arrijë në Serbi para fundit të këtij viti, shkruajnë mediat serbe jo pa një lloj ngazëllimi. Nuk ishte planifikuar të dorëzoheshin këtë vit, ashtu si helikopterët luftarak që bleu Serbia nga Rusia që do të dorëzohen para afatit të cakttuar.
‘Ja si do të na mbrojë Rusia’ shkruan gazeta serbe Kurir. Nuk ceket më tej se nga kush kanë nevojë serbët për mbrojtje.
Fillimisht ishin helikopterët që ju erdhën para kohe si dhuratë nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, para vizitës së Presidentit serb Vucic në Rusi.
Tani sipas agjencisë së lajmeve ruse Interfax, Rusia do t’i dorëzoj Serbisë disa njësi të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore “Pancir S” duke u bazuar në burime të tyre në ushtrinë ruse.
Në muajin tetor ishte presidenti i Serbisë që kishte konfirmuar se Serbia shpejt do të pajiset me këtë sistem, dhe këtë e kishte konfirmuar edhe nga ana ruse Yuri Borisov.
Sistemi i mbrojtjes “Pancir S” është i tillë që ndërlidh predha raketë tokë-ajër dhe dy topa të kalibrit 30 mm, radar dhe bllok elektronik optik për vëzhgim dhe drejtim të zjarrit.
Ky sistem është i ndërtuar në pajisje kontejneri e mundet me lehtësi të bartet dhe vendoset në tjetër mjet transportues apo anije të vogël.
“Pancir S” është paraparë për mbrojtje ndaj aeroplanëve, helikopterëve, predhave raketore, fluturakeve pa pilot. Mund të përdoret edhe për shënjestra tokësore, tankeve, transportuesve ushtarak, automjeteve luftarake e këmbësorisë.
Derisa sistemi rus S-400, asnjëherë nuk është provuar në betejë, sistemi “Pancir S1” ka pasur sukses në luftë në Siri.