Lajme

Ish-presidenti kroat: Serbia e ka vështirë të marrë vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës

Kundërshtojë zërat që paralajmërojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo çfarë duhet të bëhet shumë shpejt është hapja e kufijve për qytetarët e Kosovës.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, i cili mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e ka vlerësuar si një vendim të keq të Bashkimit Evropian.

Ish i pari i shtetit kroat thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë, por është pesimist se Serbia do të marrë ndonjë vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës.

Mesiç po ashtu i bën thirrje Bashkimit Evropian që të hapen kufijtë për qytetarët e Kosovës, që të udhëtojnë dhe të shkëmbejnë idetë e kapitalin e tyre.

Ndërkaq, për vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Mesiç thotë për KosovaPress, se ka qenë vendim i keq dhe i dëmshëm për rajonin.

Mesiç ka qenë president i Kroacisë nga viti 2000 deri në vitin 2010, dhe ka shprehur gjithmonë mbështetjen e tij për shtetin e Kosovës.