Shqiprim Arifi i dërgon letër Ardita Sinanit, kjo e fundit i përgjigjet
Pas ngjarjeve të turpshme në senacën e fundit të Kuvendit komunal, me ç’rast jashtë çdo norme ligjore ndaj këshilltarve të opozitës ndërhyri sigurimi i objektit të komunës por edhe policia, Kryetari i komunës së Preshevës në cilësin e Kryetarit të Alternativës për Ndryshim i ka dërguar letër Kryetares së degës së Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani. Në letrën e Shqiprim Arifit thuhet:
„E nderuara zonja Ardita Sinani, Marrë parasysh situatën e rëndë në të cilën gjenden Shqiptarët e Komunës së Preshevës dhe të Luginës në përgjithësi, skenat e pahijshme dhe agresive gjat seancave të Kuvendit Komunal, që nuk i bëjnë mirë imazhit të Shqiptarëve në përgjithësi dhe nuk nderojnë qytetarët të cilët neve të gjithëve na kanë dhënë besimin dhe votën, ju ftoj në një takim konsultativ për të vendosur një mardhënje të shëndosh dhe demokratike si brenda dhe jashtë kuvendit. Andaj në qoftë se jeni të shqetsuar gjithashtu nga kjo situatë e krijuar, besoj që dakordohemi në një takim të përbashkët. Me shpresë që të shihemi së shpejti dhe me rrespekt“
Më pas pasoi përgjigja nga Ardita Sinani në të cilën thuhet:
„I nderuari z. Arifi,
Ditë më parë pranova një letër nga Alternativa për Ndryshim të nënshkruar nga Ju si kryetari i saj, në të cilën më ftoni në një takim konsultativ pas situatës së krijuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Preshevës.
Pavarësisht iniciativës së ndërmarrë në letrën Тuaј, vërehet një mungesë sinqeriteti, sepse e tërë situata dhe pamjet e turpshme në seancën e Kuvendit komunal që ishin një kronologji e ngjarjeve, Ju i anashkaloni qëllimisht. Këtë e bëni sepse për situatën e krijuar në seancën e Kuvendit Komunal ndikuan nxitjet dhe fjalori Јuaj denigrues dhe fyes i përdorur nëpër seancat e Kuvendit.
Qëndrimi i Partisë për Veprim Demokratik me këtë rast ishte shumë i qartë. Reagimi emocional i këshilltarit të Grupit të PVD erdhi si pasojë e fjalimit Tuaj nxitës dhe shpifës në foltoren e Kuvendit. Vokabulari Juaj, tashmë i njohur për opinionin tonë, me fyerjet dhe shpifjet jo veç ndaj këshilltarëve komunal, por edhe ndaj personave të cilët nuk janë prezent në seancë, dëshmojnë për qëllime përçarëse. Sjelljet Tuaja nxitëse e fyese ndaj figurave të PVD-së edhe nëpër seancat tjera po dëshmojnë se në këtë rrafsh jeni i papërmirësueshëm.
Paaftësia Juaj për të planifikuar një Buxhet real për Preshevën ka sjellë që në 3 nga 5 seancat e fundit të diskutohet për rebalansin e Buxhetit. Ndoshta, sjelljet e tilla arrogante vijnë pikërisht, nga kjo paaftësi menaxhimi, por kjo nuk ju amneston për asnjë moment.
Mendoj se në letrën e dërguar, është dashur më shumë reflektim nga ana Juaj për marrjen e përgjegjësive, e para së gjithash zotim për ndërprerjen e mëtejme të fyerjeve dhe shpifjeve që i adresoni të tjerëve nga foltorja e Kuvendit.
Sa i përket marëdhënieve të krijuara mes të këshilltarëve, Ju bëj me dije se ato në asnjë moment, që nga fillimi i pluralizmit politik në Preshevë e këtej nuk kanë qenë në këtë nivel. Keqësimi i këtyre raporteve ka filluar që nga përfshirja Juaj në politikë, dhe në vazhdimësi po acarohen. Kulminacioni i keqësimit të këtyre raporteve është arritur me tentativën që mospajtimet politike të zgjidhen nëpërmjet intervenimit të pjesëtarëve të sigurimit privat dhe policisë. Një precedent i paparë në Preshevë.
Ju mund ta keni harruar, por qytetarët e mbajnë mend situatën kur Ju, atë kohë si opozitar, në një moment keni „dëmtuar pronën“ duke larguar mikrofonin e foltores së Kuvendit. Në atë rast, as nuk është diskutuar largimi Juaj aq më pak me dhunë nga seanca. Ju është toleruar liria e të shprehurit.
Vlerësoj se Ju, me sjelljet e tilla, më së paku keni kredibilitetin e mjaftueshëm për t’u paraqitur si „faktor stabilizues“ apo „faktor uniteti“ i spektrit politik në Preshevë, çfarë është edhe tentativa Juaj nëpërmjet kësaj letre me përmbajtje të pasinqertë. Andaj nëse me të vërtetë jeni i shqetësuar për përmirësimin e kësaj gjendje në Kuvend, ne nuk jemi problemi, filloni Ju nga vetja.
Unë dhe PVD jemi të shqetësuar jo vetëm për këtë rast. Në vazhdimësi kemi ngritur alarmin e rrezikut pikërisht nga instalimi i një kulture debatuese konfliktuoze në organin më të lartë të Preshevës nga ana Juaj.
Ju nuk keni të drejtë të kërkoni të bisedoni para se të përgjigjeni në pyetjen, përgjigjen e së cilës e duan shumë qytetarë: Kush e ftoi policinë dhe sigurimin privat për të ndërhyrë në seancë? Një precedent i rrezikshëm i cënimit të mëvetësisë së Kuvendit dhe vlerave të demokracisë.
Shpresoj të mos të ketë nevojë për komunikime të tilla me shkresa të pa sinqerta, qëllimi i të cilave është shmangia nga përgjegjësia për situatat e nxitura qëllimshëm, para se: a) të pranoni hapur se jeni Ju përgjegjësi dhe nxitësi kryesor i situatave të acaruara në Kuvendin Komunal dhe b) të kërkoni falje publike për fyerjet dhe përdorimin e fjalorit denigrues e të pahijshëm në seancat e Kuvendit Komunal, sidomos ndaj PVD-së dhe përfaqësuesve të saj“.
Mbetem me shpresë që seancat e tjera të dëshmojnë ngritje të kulturës Tuaj debatuese.