Nisin stërvitjet e rekrutëve të rinj të FSK-së, ka edhe serbë
Me këngë motivuese gjatë marshimit nisin pothuajse secilën ditë 339 rekrutët e rinj, që synojnë t’i bashkohen ushtrisë.
Në mesin e tyre ka edhe të rinj nga komunitetet joshumicë, serbë, turq e ashkalinj.
Por, për t’u rreshtuar në fund si ushtar i Kosovës, nuk është edhe lehtë e përballueshme këtu në kazermën “Skënderbeu”, raporton KTV.
Vetëm javën e parë, që quhet “java 0”, 11 rekrutë të rinj u dorëzuan duke hequr dorë nga të qenët ushtarë, shkaku se nuk i përballuan presionin dhe stërvitjet.
Komandanti i kësaj qendre të stërvitjeve bazë tregon se jo të gjithë mund t’i kalojnë stërvitjet ngase, sipas tij, nuk janë të gatshëm të mësohen me rregullat.
Këtë e thotë edhe rekrutja Flaka Kadolli, e cila është e bindur se do t’i bashkohet në fund ushtrisë.
Rekrutët e rinj gjatë qëndrimit 9-javor në këtë qendër të stërvitjeve inspektohen dhe trajnohen në mënyrën më të përpiktë të mundshme.
Mimoza Morina, instruktore, thotë se ndaj rekrutëve janë tejet strikt, në mënyrë që, siç thotë, ata në fund të jenë të gatshëm për ushtarë.
Gjatë këtyre javëve rekrutët kryejnë stërvitje bazike, fizike por edhe psikike.
Ky është grupi i fundit për këtë vit, pjesëtarët e të cilit do të rreshtohen në njësi të ndryshme si ushtarë.
Nga grupi i parë stërvitjet kishin arritur t’i përfundonin me sukses 350 rekrutë të rinj