Shqipëri

“Al Jazeera”: Zyrtarët e lartë shqiptarë të lidhur me bosët e krimit

Kompania mediatike prestigjioze “Al Jazeera” i ka bërë jehonë publikimit të një sërë audio-përgjimeve nga rrjeti investigativ “Birn”, nga tabloidi gjerman “Bild”, si edhe nga “Zëri i Amerikës”, ku eksponentë të Partisë Socialiste, përfshirë edhe vetë kryeministri Edi Rama, dëgjohen të komunikojnë me “bosë të krimit” që pohojnë manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme të vitit 2016 në Dibër dhe të zgjedhjeve të fundit parlamentare (2017).

“Al Jazeera” thekson se ndonëse këto publikime konfirmuan se marrëdhëniet midis politikanëve, gjyqësorit dhe krimit të organizuar janë shumë të ngushta, asnjë nga zyrtarët e lartë të implikuar nuk është arrestuar, madje “në vend të kësaj, gjyqësori ka shkuar pas atyre që publikuan materialet”.

“Një zyrtar i lartë, i cili përditëson kryeministrin për votat e blera. Një bos krimi që i premton Partisë Socialiste qeverisëse, një tjetër fitore. Një anëtar i mafies shqiptare, që përgëzon ministrin për një rezultat zgjedhjesh hyjnore. Këto ishin vetëm maja e aisbergut nga një seri audio-përgjimesh shpërthyese që e çojnë Shqipërinë në një kaos politik.”- raporton “Al Jazeera”.