Shoqëria civile në Shqipëri me peticion për heqjen e memorialit turk
Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.
Sipas organizatorëve, ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës. Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta ,me kreun e Shtetit turk, i cili ka fajësuar klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO, për grushtin e dështuar të Shtetit.
Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj por dhe me kryeministrin Edi Rama për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”. Por këto lëvizja dhe ky nënshtrim i politikës shqiptare ndaj asaj turke, nuk i ka pëlqyer aspak një pjese të shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që me anë të një peticioni të mundësohet largimi i këtij memoriali.
Peticioni
Ne kërkojmë heqjen e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit. Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë.
Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të. Ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës. Ngjarja që Bashkia ka vendosur të përjetësojë: nuk ka domethënie apo rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët shqiptarë; nuk ka vlerë përkujtimore apo simbolike për brezat e ardhshëm; nuk ka rëndësi historike apo kulturore botërore dhe nuk ka domethënie për vlerat e lirisë, demokracisë dhe përparimit njerëzor botëror; nuk ka mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror mes qytetarëve të Tiranës