I lidhur me Atdheun pas një cope djathi?!
Shkruan:Agim Xhafka
Pranë urgjencës së Tiranës ndodhet një bulmetore. U futa sot atje për të blerë qumësht, kos, gjalpë, djathë e salsiçe. Para meje një mesoburrë me përparëse të bardhë. E mora për doktor. Por. që në nisje të bisedës nuk ishte në këtë profesion.
– Erdhe, o infermieri më i mirë i urgjencës! – i tha shitësja.
Dukej që njiheshin.
– Po, kemi 15 minuta pushimin e drekës.
– Të zakonshmen? – e pyeti ajo.
– Po, 30 lekë djathë të bardhë.
Pashë që thika shkoi tek tava me djathin më të lirë. Preu një copëz. E peshoi, çmimi në peshore vajti 36 lekë.
– Jo, aq, 30 lekë kam.
– Pa merak, të qeras unë – ia ktheu shitësja.
– Mos e mbështill – i tha infermieri.
Nxori një gjysmë panine nga xhepi, e çau me duar, në mes futi djathin e nisi ta hante pa dalë ende nga dyqani.
Nuk m’u dhimbs, më emocionoi ky njeri kaq i varfër. I lidhur me Atdheun pas një cope djathi? Jo, i bërë njësh nga dashuria për të, se ndryshe ja, dy orë larg është Gjermania. Që e pret me lule dhe euro. Por, ai rri çdo ditë në radhë të urgjencave dhe në radhë të djathit…
– Çfarë doni?- më pyeti mua shitësja.
Do blija plot gjëra, por nuk di pse i thashë thatë:
– Vetëm një shishë kos. Vetëm një…