Sqarohet historiani amerikan për origjinën “shqiptare” të Johnsonit
Pas zgjedhjes së Boris Johnsonit, kryeministër i ri i Britanisë së Madhe, mediat shqiptare, nxituan të flisnin për origjinën shqiptare të tij. Në bazë të këtyre lajmeve, ishte një libër i Ryan Gingeras, një ekspert i historisë së Turqisë, Ballkanit dhe lindjes së mesme.
“Unë, në librin tim, kam folur për kapitenin Ali Kemal, me origjinë shqiptare, dhe jo Ali Kemalin që u bë ministër mbrojtjeje në perandorinë otomane” , thotë Gingeras.
Gingeras, është autor i njohur i një seri veprash për Perandorinë Turke, sidomos për periudhën e fundit të saj. Pikërisht në librin e tij, “Sorrowful Shores: Violence, Ethnicity, and the End of the Ottoman Empire” (“Brigje të trishta: Dhunë, Etnicitet dhe fundi i Perandorisë Otomane 1912-1923”) i referohen lajmet sipas të cilave, stërgjyshi otoman Ali Kemali i udhëheqësit konservator Johnson, është me origjinë shqiptare.
Por, Ali Kemal Bej, stërgjyshi i Johnsonit, ishte në fakt një gazetar, poet dhe politikan, që për afro tre muaj ka qenë ministër në perandorinë otomane. Ai u vra gjatë luftës turke për pavarësi.
Ndaj, pas këtij sqarimi, mbetet i justifikuar vetëm entuziazmi turk, ku zgjedhja e Johnsonit kryeministër ka ndezur shpresa se ‘nipi otoman’ siç e quajnë mediat dhe politikanët vendas, do të mund të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve./tch