Kurti: Zgjedhje sa më parë, Qeveria e re të krijohet nga VV dhe LDK
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka më hapësirë për manovrime dhe se Kuvendi duhet të shpërbëhet sa më parë për të shkuar në zgjedhje të reja, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Ai ka thënë se e ka vërejtur se të gjitha partitë tashmë janë pajtuar që të thirret seanca për shpërbërjen e kësaj legjislature derisa ka thënë se Qeverinë e re duhet ta përbëjnë opozita e tanishme, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket mundësisë që Qeveria nesër të mbajë mbledhje të rregullt, ndërkohë që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, Kurti ka thënë se kjo thirrje është e kotë sepse Qeveria ka rënë, njofton Klan Kosova.
I pari i Vetëvendosjes këto deklarata i ka bërë në ditën e dytë të aktivitetit tradicional që e organizon Kuvendi i Kosovës “Bashkatdhetarët në Kuvend”, në pritje të bashkëatdhetarëve.