Të paktën 50 persona vdesin nga tri sulme në Afganistan
Më shumë se 50 persona janë vrarë në një valë të sulmeve në tri provinca të Afganistanit, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kabul, pavarësisht përpjekjeve për bisedime të paqes, që synojnë t’i japin fund luftës gati 18-vjeçare në këtë shtet.
Tri shpërthime në lindje të Kabulit më 25 korrik kanë lënë tetë persona të vdekur, duke përfshirë pesë gra dhe një fëmijë, kanë thënë zyrtarët.
Përveç kësaj, 27 persona tjerë janë plagosur në shpërthime, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Wahidullah Mayar.
Një shpërthimin e parë është përfshirë një sulmues vetëvrasës në një motoçikletë që është përplasur me një autobus, derisa i dyti ka ndodhur në zonën e njëjtë.
Sulmi i tretë është kryer me makinë-bombë.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid ka marrë përgjegjësinë për sulmin me makinë-bombë, duke thënë se një konvoj i “pushtuesve të huaj” ka qenë në shënjestër.
Përgjegjësinë për sulmet tjera ende nuk e ka marrë askush.
Dhuna në Afganistan është shtuar në javët e fundit, teksa si forcat afgane ashtu edhe militantët talibanë tentojnë të rrisin ndikimin e tyre në bisedimet për paqe.
Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë realizuar një varg bisedimesh për paqe nga viti i kaluar, dhe Zalmay Khalilzad, i dërguari special amerikan për Afganistanin, është aktualisht duke u konsultuar me Kabulin për fazat tjera të negocitatave.
Ndonëse nuk është arritur asnjë marrëveshje, të dyja palët kanë raportuar përparim në bisedime.
Megjithatë talibanët kanë refuzuar të takohen me zyrtarët e Qeverisë së Kabulit, të cilën e konsiderojnë kukull të SHBA-së./Rel