Partia për Veprim Demokratik ka mbajtur konferencë për media
Partia për Veprim Demokratik gjatë ditës së sotme, nëpërmjet nënkryetares së saj, Ardita Sinanit, mbajti konferencë për mediat.
Tashmë është e njohur se PVD ka marrë përsipër t’i paraqitet opinionit me demaskimin sipas saj të mashtrimeve dhe manipulimit me premtimet e kryetarit të APN dhe të komunës, Shqiprim Arifit.
Në vazhdën e analizës së këtyre manipulimeve me ndjenjat e qytetarëve, Ardita Sinani sot preku temën e premtimeve nga ana e Shqiprim Arifit për sjelljen e investimeve të huaja në komunë të Preshevës.
Sipas Sinanit premtimet për hapje të vendeve të reja të punës dhe zhvillim të hovshëm ekonomik, ishin alibi e pandershme për arritjen e qëllimeve të kryetarit të APN dhe të komunës. Edhe më e turpshme theksoi ajo ishte fakti se me këto mashtrime ai arriti të entuziazmojë një shtresë e cila po mundohet të mbijetonte si rezultat i gjendjes së vështirë socio-ekonomike.
Në fund, Ardita Sinani theksoi se dalja e saj në këtë konferencë nuk ishte shprehje e gëzimit të askujt për manipulimet me ndjenjat e qytetarëve të Shqiprim Arifit, por ishte për të shprehur mllefin e atyre qytetarëve të cilët kryetari i APN dhe i komunës i manipuloi.