Shqipëri

Alfred Moisiu: Po bëhemi më keq se në 91-shin, klasa politike e paaftë

Duke folur nga pozitat e një njeriu që ka qenë president në kohë krizash të thella politike në Shqipëri, për Alfred Moisiun Shqipëria po kthehet mbrapa në vitin 1991 dhe për këtë përgjegjëse është e gjithë klasa politike.

Në një intervistë televizive, ish presidenti i Shqipërisë cilësoi se kjo është një krizë artificiale, pra e krijuar nga vetë aktorët politikë, por që pasojat janë reale dhe ndikojnë në zhvillimin e vendit.

Për Moisiun opozita ka të drejtë në disa aspekte por ai nuk bie dakord me rrugën e zgjedhur prej tyre për ‘luftuar këtë betejë’. Vendimi i opozitës për të dalë nga parlamenti për të është i gabuar, po ashtu dhe shtyrja e datës 30 qershor pasi do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Ai dha gjithashtu shembullin nga eksperienca personale se si në 2007 arriti të bindte palët politike.

“Kjo situatë nuk është e mirë dhe nuk duhet të ndodhte. Për këtë ka përgjegjësi e gjithë klasa politike shqiptare. Po ekspozojmë një pjesë të keqe të shoqërisë shqiptare. Kriza është artificiale, mirëpo ndikimi është real. Opozita ka të drejtë në disa aspekte. Duhet kthjellësi, e cila ka humbur. Po kthehemi pas si në vitin 1991. Nëse shtyhet data 30 qershor si datë për zgjedhje, i hapet rrugë një precedenti të rrezikshëm. Kudo ka probleme në zgjedhje. Opozita nuk duhet të tërhiqet, por të luftojë politikisht. Nuk duhet të lëvizte 30 qershori, pasi do të kishte precedent. Kjo situatë ka ndodhur edhe më 2007, mblodha partitë dhe në fund u arrit vendimi. Në orën 24:00 u firmos marrëveshja mes forcave politike parlamentare. Kur isha president, unë arrita të bind palët politike. I kërkova ndryshime në atë kohë Kuvendit”, deklaroi Moisiu.

Ish-presidenti shtoi gjithashtu se gjërat nuk duhet të kishin ardhur në këtë pikë kur mund të ishin sqaruar që më parë. Për të roli i ndërkombëtarëve është pozitiv por në raste të tilla situata duhet zgjidhur vetëm nga aktorët vendas.

“Kishte kohë dhe nuk e kuptoj pse nuk janë mbledhur për 4 muaj. Kjo situatë është e çmendur. Nuk mundet dhe nuk duhet të kishin arritur në këtë ditë. Kjo situatë aspak nuk duhej lejuar, as nga mazhoranca, as nga opozita. Ne jemi demokraci e brishtë. Ne kemi tradita diktature dhe jo demokratike. Kjo është arsyeja përse ndërkombëtarët vijnë dhe na takojnë, zhvillojmë biseda etj. Nuk bën keq ndërkombëtarët që nuk ndërhynë. Këto gjërat duhet të zgjidhen vetë. Kjo tregoi se klasa politike jonë është e paaftë” tha Moisiu. /Opinion.al