Lajme

Kosovë/ Partia Euroatlantike e Kosovës zyrtarizohet si parti politike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka sot prezantoi edhe zyrtarisht partinë e tij të quajtur Partia Euroatlantike e Kosovës ku morën pjesë themelues të tjerë të këtij subjekti politik, deputetë të partive të tjera dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, Zeka premtoi se partia e tij do të sjell një frymë të re të politikë bërjes në vendin tonë dhe se do të bëjnë gjithçka të kundërt çfarë është bërë deri më tani.

Ai përmendi se prioritet për partinë e tij do të jetë investimi në arsim dhe shëndetësi si dhe përkrahje për bizneset përmes heqjes së disa obligimeve ndaj shtetit.

Më tutje, deputeti deklaroi se inspektorët e ATK-së janë shndërruar në tmerr për bizneset, pasi 70% prej tyre ua mbajnë kontabilitetin.

Ai paralajmëroi se do të hapin bankë nacionale të quajtur Banka Mërgata Shqiptare përmes së cilës do të ftojnë diasporën të investojnë me zero taksa pasi interes i vendit është hapja e vendeve të reja të punës.

Duke folur për drejtësinë, Zeka tha se do të ftojnë djemtë dhe vajzat që kanë mbaruar juridikun në vendet evropiane që të vijnë dhe të ndërtojnë një sistem tjetër me të besueshëm. Po ashtu, tha se do të forcojnë policinë dhe ushtrinë e Kosovës.

Zeka ka qenë kritik edhe ndaj liderëve aktualë të Kosovës, sidomos me komandantët e luftës siç i quajti ai, duke thënë se kanë abuzuar me gjakun e dëshmorëve dhe me politikën vetëm për t’u pasuruar dhe zhvatur Kosovën.

Ai tha se këta komandantë duhej të ndiqnin këshillën e mikut amerikan, James Rubin, i cili iu tha se duhej të largoheshin nga skena politike.

Po ashtu, Zeka premtoi se do t’i kthejë respektin shtetit të Kosovës duke emëruar ambasadorë vetëm njerëz të shkolluar dhe jo kushërinj.

Në prezantimin e Partisë Euroatlantike të Kosovës folën edhe dy nismëtarë Hysen Gecaj dhe Behare Sahitaj të cilët premtuan që do të jenë zëri i qytetarëve dhe se do të punojnë për të mirën e vendit.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se kishte disa arsye që erdhi për të uruar Milaim Zekën për partinë e re. Ai tha se sot është shumë e vështirë të krijosh një parti pasi duhet të kesh një pikëpamje të veçantë politike.

Në prezantimin e Partisë Euroatlantike të Kosovës e pranishme ishte edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, që mbajti një fjalim mes emocionesh pasi ajo dhe deputeti Zeka kanë lidhje gjaku.

Ajo u shpreh se jeta e Milaim Zekës është e lidhur me rrugën e Kosovës, një rrugë që sipas saj, ka qenë plot sakrifica e mund, por mbi të gjitha rrugë plot krenari dhe suksese.

Në fund të ceremonisë para të pranishmëve u paraqitën të gjithë anëtarët themelues të Partisë Euroatlantike të Kosovës.