Radhitja e shteteve në Lojërat Evropiane: Kosova lë pas Francën e Britaninë
Me dy medalje të fituara në dy ditët e para të Lojërave Evropiane Minsk 2019, Kosova radhitet e shtata në mesin e 19 shteteve që po përfaqësohen në këto gara. Listën e kryeson Rusia me gjithsej 17 medalje.
Majlinda Kelmendi me medaljen e artë dhe Nora Gjakova me medaljen e argjendtë bëjnë që Kosova ta zë vendin e shtatë në listën e shteteve më të suksesshme në Lojërat Evropiane Minsk 2019
Në këtë garë, Kosova po përfaqësohet nga 12 sportistë, prej të cilëve vetëm dy kanë përfunduar garën. Që të dyja, Nora Gjakova dhe Majlinda Kelmendi, ia fituan Kosovën nga një medalje.
Këto dy medalje bëjnë që Kosova të radhitet para Francës dhe Britanisë së Madhe.
Edhe shigjetarja Ardita Zejnullahu garoi të premten në disiplinën Hark Olimpik, megjithatë ajo garën do ta vahzojë të martën, kur do të përballet në 1/32 e finales me britaniken Michaela Pitman Bryony.
Sot, edhe Patriot Behrami ia rriti shpresat Kosovës për një tjetër medalje, pasi që ai fitoi në kategorinë deri në 69 kilogramë në boks, kundër kroatit Marko Zheljko. Megjithatë, ai garën do të vazhdojë në ditët në vazhdim.
Në po të njëjtin sport, sot Kosovën do ta përfaqësojë edhe Ardit Deliaj në orën 19:15, në kategorinë deri në 81 kilogramë.