Lajme

Vuçiq: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi në fillim të dhjetorit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për gazetën britanike Financial Times se pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen deri në fillim të muajit dhjetor, ndërsa më pas të organizohen edhe zgjedhjet presidenciale.

“Me shumë gjasa, fillimisht do të kemi zgjedhje parlamentare, e më pas zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen deri në fillim të dhjetorit. Nuk ka hapësirë për vendime të tjera”, ka thënë Vuçiq.

Sipas Financial Times, Vuçiq kishte njoftuar më herët se do të jepte dorëheqje nga posti i Presidentit të Serbisë, ndërsa në intervistën për këtë gazetë ka konfirmuar se synon ta mbajë këtë premtim.

Gazeta britanike shkruan se, pas përfundimit të procesit zgjedhor, Vuçiq pret të rikthehet në postin e kryeministrit të Serbisë, funksion të cilin e kishte lënë rreth dhjetë vjet më parë.