Vuçiq: Në shtator ndihmë për të gjith qytetarët e rritur të Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se shteti po përgatit një formë të re mbështetjeje financiare për të gjithë qytetarët e rritur, e cila pritet të realizohet gjatë muajit shtator.
Sipas tij, pagesat mund të nisin edhe para fundit të muajit, me synimin që shpërndarja të fillojë rreth mesit të shtatorit.
“Do të jetë në shtator, por do të përpiqemi ta realizojmë edhe më herët, rreth mesit të shtatorit. Besoj se do të arrijmë të bëjmë diçka që do t’i kënaqë të gjithë qytetarët e rritur. Ende nuk mund të jap më shumë detaje, por besoj se do t’i bëjmë të lumtur të gjithë qytetarët e rritur. Kjo nuk do të financohet nga fondet e buxhetit. Ende po shqyrtojmë mundësitë dhe duhet të mendojmë për njerëzit tanë”, tha Vuçiç.
Presidenti serb nuk zbuloi se për çfarë forme ndihme bëhet fjalë dhe as shumën që do të përfitojnë qytetarët, duke theksuar se detajet do të bëhen publike në një fazë të mëvonshme.
Në fund të muajit qershor, Vuçiç prezantoi një paketë masash ekonomike me vlerë mbi 600 milionë euro, të destinuara për përmirësimin e standardit të jetesës. Për momentin nuk dihet nëse ndihma e sapoparalajmëruar është pjesë e asaj pakete apo një masë e re mbështetëse.
