Lajme

Ultimatumi i BE-së për ta njohur Kosovën, Daçiq: Serbia nuk është në dijeni

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se, ashtu si qytetarët e tjerë, ai mësoi përmes mediave se BE do t’i japë një ultimatum Serbisë për ta njohur Kosovën dhe për të lejuar anëtarësimin e saj në OKB përmes një projekt-marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës në takimin e së enjtes.

Ai thotë se është befasi, që Serbia nuk e di për këtë dhe pyeti se pse po bëhet pikërisht tani, kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është pjesë e takimit, i cili do të zhvillohet këtë të enjte në mes të Skënder Hysenit nga pala kosovare dhe Marko Gjuriqit nga ajo serbe.

Mbrëmë mediumi serb “Novosti” duke iu referuar burimeve diplomatike tha se në takimin e ndërmjetësuar nga Miroslav Lajçak palës serbe do t’i dorëzohet ky projekt që nënkupton njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia.

Daçiq tha për RTS se prezantimi i këtij dokumenti tani, në këtë fazë të dialogut, do të ishte një befasi, sepse as nuk u njoftua se do të ndodhte.

“Është e çuditshme pse ata po e bëjnë këtë tani. Kjo është arsyeja pse ata po e bëjnë këtë kur Vuçiq nuk është aty? Ata i thanë që dialogu do të vazhdojë në shtator. Nëse ekziston ai dokument, cila është qëllimi për t’ia dorëzuar atë tani? Me siguri për ta marrë njohjen?”.

Daçiq tha se Serbia ka presion edhe nga jashtë edhe nga brenda.

“Faktorët ndërkombëtarë do ta përdorin atë si shantazh për Serbinë që të pranojë dokumentin. Dhe në skenën politike vendore ka nga ata që i mbështesin këto presione me dhunë në rrugë. Këto janë dy anë të së njëjtës monedhë”.

“Ata do të na shantazhojnë me anëtarësimin në BE. Ata thonë se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme duhet të pasojë përpara rrugës sonë për anëtarësimin në BE.

Nëse ka dokumente, Daçiq beson se Vuçiq do të informojë publikun për përmbajtjen e tij dhe se përgjigja do të jetë në përputhje me interesat kombëtare të Serbisë.