Trajneri serb: Hera ime e parë në Tiranë, jemi ndjerë shumë mirë
Pas fitores në Tiranë, trajneri i skuadrës serbe të Crvena Zvezdës, Dejan Stankoviç tha se ekipi i tij e kishte merituar fitoren, ndërsa u shpreh se fati ishte një faktor i rëndësishëm. “Nuk ka rëndësi sa gola janë bërë 1 apo 10, por fitorja. Synimi u arrit, u kualifikuam. Do ta analizojmë ndeshjen. Kishim një ekip shumë të motivuar dhe të përgatitur, që bëri një ndeshje mjaft të mirë. Fati është një faktor i rëndësishëm në jetë që duhet ta meritosh. Ne e kemi merituar fatin dhe e fituam”.
I pyetur nëse ka patur frikë në ndonjë moment gjatë ndeshjes, ai u shpreh: “Frika është pjesë e sportit dhe e jetës. Isha i shqetësuar në disa momente, por nuk është se kisha frikë”.
Ndërkohë, ish-futbollisti i Interit ka thënë se mbeti i kënaqur nga pritja që ka gjetur në Tiranë.
“Unë e thashë edhe dje. Jemi ndjerë shumë mirë. Njerëzit ishin shumë mikpritës. Hera e parë që kam ardhur në Tiranë. Na kanë pritur shumë mirë. Kam përshtypje mjaft të mira. Dua t’i falenderoj të gjithë. Një përqafim nga zemra”./Opinion.al