Reagime nga udhëheqësit politik të Luginës, pas deklaratës së ministres Paunoviq për “spastrimin etnik”
Deklarata e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e ka cilësuar deklaratën si “të papranueshme, të papërgjegjshme dhe thellësisht shqetësuese”, duke theksuar se përmendja e “spastrimit etnik”, edhe përmes relativizimeve të mëvonshme, paraqet fyerje për viktimat dhe dëmton përpjekjet për paqe, demokraci dhe bashkëjetesë.
Gjithashtu në lidhje me këtë deklaratë kanë reaguar kryetarja e komunë Preshevës, Ardita Sinani si dhe zëvendër kryetari i komunës, Ragmi Mustafa. Të dy udheqësit e pushtetit lokal në Preshevë deklaratën e ministres Paunoviq e kanë cilësuar të rëndë e skandaloze.
Reagim ka bërë edhe deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili deklaratën e ministres e ka cilësuar skandaloze dhe të papranueshme. Ai ka njoftuar se ka kërkuar reagim nga ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd dhe se do të iniciojë kërkesën për shkarkimin e ministres.
