Kryesore

Premierë në Teatrin e Qytetit në Preshevë: “Ikja nga Gjermani”, një komenei që flet për mërgimin dhe kthimin në atdhe

Në Teatrin e Qytetit në Preshevë do të vijë më 29 qershor, duke filluar nga ora 19:00, premiera e shfaqjes teatrale “Ikja nga Gjermania”, me tekst të autorit Ilir Ajdini dhe regji të Lendi Aliut.

Shfaqja është një komedi sociale që trajton jetën dhe sfidat e dy mërgimtarëve shqiptarë në Gjermani. Përmes humorit, situatave absurde dhe përplasjeve mes nevojës për mbijetesë dhe ruajtjes së dinjitetit, vepra sjell para publikut një reflektim të thellë mbi fenomenin e mërgimit, identitetin kombëtar, dëshirën për t’u rikthyer në vendlindje dhe pasojat njerëzore të largimit nga atdheu.

Në skenë do të interpretojnë aktorët Bleron Hevziu dhe Arlind Fejzullahu, të cilët sjellin historinë e dy personazheve të përballur me realitetin e jetës në emigracion dhe dilemat që e shoqërojnë atë.

Ekipi realizues përbëhet nga:

  • Asistent regjisor: Edonis Gashi
  • Skenografia: Nderim Bytyqi
  • Muzika: Skender Halimi
  • Ndriçimi: Xhemal Hasani
  • Organizator: Donat Aliu
  • Dizajni i posterit: Erisa Lahu

Organizatorët ftojnë dashamirët e teatrit dhe publikun e gjerë që të jenë pjesë e kësaj premiere, e cila premton humor, emocion dhe mesazhe aktuale për një nga temat më të ndjeshme të shoqërisë sonë – mërgimin.

Premiera e shfaqjes “Ikja nga Gjermania” do të mbahet më 29 qershor (e hënë), në ora 19:00, në Teatrin e Qytetit në Preshevë. 🎭