FutbollSporti

Plas ‘bomba’ në Gjermani, videoja shokuese e Kalou vë në diskutim rinisjen e Bundesligës

Futbolli gjerman po priste me ankth vendimin e Kancelares Angele Merkel për t’i ndezur dritën jeshile rifillimit të sezonit, teksa një video e regjistruar nga lojtari i Herthas së Berlinit, Salomon Kalou, mund të hedhë në erë gjithçka.

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë po filmonte atë që po ndodhte në dhomat e zhveshjes së skuadrës së tij (po e transmetonte “live” në llogarinë e tij në Facebook), duke lënë të kuptohet se nuk po respektoheshin rregullat e higjienës, sipas një protokolli të detajuar.

Pas kësaj videoje shokuese për opinionin, klubi nga Berlini ka pezulluar menjëherë futbollistin, kontrata e të cilit përfundon në fund të këtij sezoni.

Në regjistrimet e Kalou dallohet qartë se si futbollistët dhe stafi shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, duke mos respektuar distancimin social, por nuk përfundon me kaq.

Ish-futbollisti i Chelseat, teksa filmonte veten, zbulon edhe një zarf që tregonte pagën.

Madje shoku i skuadrës së tij, Vedad Ibisevic, ankohet për uljen që pagës për shkak të krizës së Koronavirusit, duke përdorur një fjalor të rëndomtë.

“Imazhet e shpërndara nga Salomon Kalou nga dhomat e zhveshjes së Herthas së Berlinit janë të papranueshme. Nuk mund të ketë tolerancë për këtë,” reagoi Liga e Futbollit, para se futbollisti të pezullohej.

Në video sulmuesi nga Bregu i Fildishtë takon edhe mbrojtësin Jordan Torunarigha, ndërsa ky i fundit po kryente testin për COVID-19. Edhe pse mjeku i kërkon të largohet, sepse nuk duhej të ishte në të njëjtën dhomë gjatë kësaj procedure, Kalou nuk ia vë veshin, duke shkelur sërish protokollin.

Një video kjo që bashkë me 10 rastet e para pozitive vënë në diskutim serioz gjithë sistemin e futbollit gjerman në këtë moment delikat.