Lajme

Për herë të parë pritet që Fitër Bajrami t’i gjejë xhamitë të mbyllura në Kosovë

Në shenjë pakënaqësie për moshapjen e xhamive për shkak të pandemisë COVID-19, disa qytetarë kanë zgjedhur që të kryejnë ritet fetare në sheshet e kryeqytetit.

Ata kanë kërkuar hapjen e tyre, duke theksuar se kjo është formë për të dëshmuar se mund të mbahet falja e namazit në xhami.

Por ka qytetarë që janë të mendimit që xhamitë të qëndrojnë mbyllur deri të kalojë rreziku nga koronavirusi, raporton KOHA.

Për herë të parë pritet që festa e Fitër Bajramit t’i gjejë xhamitë të mbyllura në Kosovë.

Por, sipas hoxhallarëve, falja e namazit të kësaj feste pranohet edhe në shtëpi.

Besimtarët vazhdimisht kanë kërkuar hapjen e xhamive, për çka nisën edhe një peticion.

Megjithatë, hapja e objekteve fetare do të shqyrtohet gjatë rivlerësimit të situatës me pandeminë.

Ndërkohë, ka qenë ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, që për organizimin e faljes së namazit në shesh ka akuzuar profesorin Milazim Krasniqi. Por Krasniqi në një postim në Facebook e ka mohuar një gjë të tillë, duke paralajmëruar padi për shpifje ndaj Sveçlës.

Derisa në Kosovë për festën e Bajramit do të jenë të mbyllura vetëm xhamitë, në shtete me shumicë myslimane, sikur Turqia e Arabia Saudite, gjatë kësaj kohe i gjithë shteti do të jetë në karantinë, për të minimizuar lëvizjen e qytetarëve.