Latifi: Shqiptarët e Luginës duhet të protestojnë në Serbi, e jo kundër Edi Ramës
Analisti Blerim Latifi ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së disa shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në protestat e mbajtura në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar.
Sipas Latifit, shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk po organizojnë protesta kundër politikave diskriminuese të Serbisë, të cilat, sipas tij, po çojnë në spastrimin e heshtur etnik përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera administrative.
“Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese”, ka shkruar Latifi.
Ai shtoi se, megjithatë, disa prej tyre shkojnë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar.
Në fund, Latifi vlerësoi se paradokse të tilla “e sikletosin ndërgjegjen njerëzore”.
