Hoti: Jemi gati në atë pikë kur Serbisë do t’i themi ‘mjaft është mjaft’
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se Kosova është gati në pikën që t’i thotë Serbisë se ‘mjaft është mjaft’.
Ai këtë e quajti arritje dhe thotë se është rezultat i veprimeve të marra vetëm brenda javës që është në krye të ekzekutivit, duke iu referuar heqjes së reciprocitetit, njofton Klan Kosova.
“Prandaj, duke e parë interesimin e SHBA-së dhe vendeve të Quintin jemi gati në pikën kur Serbisë mund t’i thuhet ‘mjaft është mjaft’”.
Hoti në Rubikon të Klan Kosovës tha se i është dashur të merr kosto politike qysh në ditët e para të postit të ri me vendime që ai i quajti të mëdha.
“Të enjten e kam marrë mandatin, të premten kemi miratuar programin qeverisës, të shtunën rregulloren dhe miratimin e kërkesave për t’i hapur rrugë procesit të dialogut”.
Kryeministri gjithashtu thotë se po keqinterpretohet tregtia dhe qarkullimi i mallrave me Serbinë dhe u shpreh i bindur se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, për dallim nga Serbia, do ta sjellë Kosovën në një pozitë më të fortë ndërkombëtarisht dhe në dialog.
“Ne jemi Qeveri e përgjegjshme dhe ne kemi një partneritet me miqtë tanë, SHBA dhe disa vende të BE-së, këtu jemi në vitin 2020 në Kosovën e pavarur falë mbështetjes së plotë dhe të pakursyer të miqve tanë”.
“A duhet ta vendosim veten në pozitë ku krejt presioni ndërkombëtar të bie mbi ne apo të marrim hapa të mençur për të vendosur Kosovën në pozicion më të favorshëm? Unë zgjodha këtë rrugë për të ruajtur miqësinë speciale dhe marrëdhëniet e ngushta me miqtë tanë. Këshilla e tyre ka qenë: Kryeministër duhet t’i largoni pengesat për dialogun për një kohë të caktuar! Pra, kështu është një dakordim me miqtë tanë”.
Hoti nuk tregoi se sa do të jetë koha që do të mbajë larg pengesat për rifillimin e dialogut, por tha se duhet të jetë i arsyeshëm, e që një tremujor iu duk i tepërt.