Haradinaj thotë se nëse Kurti dëshiron të mbahet mend si kryeministër i mirë, duhet të mbajë taksën
Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se subjekti i tij nuk do të pajtohet në asnjë rrethanë që taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake të largohet.
Ai ka thënë se Kosova taksën duhet ta përdorë si mjet deri në kohën kur Serbia do ta njohë pavarësinë e vendit.
“Nëse Kurti do të mbahet mend si kryeministër i mirë duhet të këmbëngulë që taksa të qëndrojë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk kanë përfituar asgjë nga taksa, por që në të njëjtën kohë nuk ka pasur mosmarrëveshje me miqtë ndërkombëtarë asnjëherë në lidhje me këtë temë.
“Nuk kemi vënë taksë ndaj miqve tonë ndërkombëtarë, të jemi të qartë. Taksën e kemi vënë ndaj Serbisë për fushatën e saj”
“Kosova nuk përfiton asgjë me largimin e taksës. Ne nuk do të pajtohemi në asnjë rrethanë me largimin e taksës. Do të thërrasim mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar për këtë”