KryesoreLajme

Hallakama e Berlinit, Haradinaj nuk deshi të udhëtonte me të njëjtin aeroplan ku ishte Edi Rama

Samiti i Berlinit ku vendet e Ballkanit Perëndimor ishin ftuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk prodhoi gati asgjë.

Në këtë Samit, ku theksi kryesor ra tek dialogu Kosovë-Serbi, në pah doli edhe një problem nder-shqiptar.

Aty u përplasën ashpër kryeministri Ramush Haradinaj me homologun e tij, Edi Rama. Përplasja nisi për taksën, ku sipas Haradinajt, Rama i bëri presion më shumë së të tjerët që ajo të hiqet.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Rama i cili e ka quajtur gënjeshtar Haradinajn.

Mirëpo, duket se përplasja ishte më e fuqishme sesa mund të duket në pamje të parë.

Burime të Ballkani.info kanë treguar ekskluzivisht se pas Samitit, Haradinaj nuk ka dashur të udhëtojë me të njëjtin aeroplan ku ishte edhe Edi Rama.

“Liderët e Kosovës, Thaçi, Haradinaj dhe Pacolli janë nisur nga Prishtina me aeroplan privat të Pacollit dhe kanë shkuar në Tiranë. Atje e kanë marrë kryeministrin Rama dhe ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj. Të gjithë bashkë më pas kanë shkuar në Berlin, në Samit”, ka thënë këto burime.

Sipas tyre, edhe kthimi nga atje ishte planifikuar të bëhet sikur shkuarja. Mirëpo, shtojnë burimet, Haradinaj nuk ka dashur që të kthehet me Ramën.

“Ai ka kërkuar që të kthehet vetë, pasi që nuk ka dashur të jetë në aeroplanin e Pacollit ku ishte edhe Rama. Megjithatë, meqë linja ajrore nga Berlini për në Kosovë vonohej dhe Haradinajn e prisnin takime, ai vendosi disi që të udhëtonte me aeroplanin e Pacollit”, kanë thënë tutje këto burime.

Më pas, theksojnë burimet tona, atmosfera në aeroplan ishte e tendosur dhe se asnjëri nga liderët nuk bisedonte me njëri-tjetrin.