KKSh miraton themelimin e Institutit për Kulturë Shqiptare në Luginë dhe Sanxhak
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka njoftuar se është miratuar themelimi i Institutit për Kulturë Shqiptare, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak.
Sipas Rexhepit, vendimi është miratuar me 10 vota pro dhe asnjë votë kundër, duke hapur rrugën për krijimin e një institucioni që do të merret me ruajtjen, studimin, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe identitare të shqiptarëve në këto treva.
“Për herë të parë po krijohet një mekanizëm i specializuar që do të punojë në mënyrë profesionale për dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare”, ka theksuar Rexhepi.
Ai ka falënderuar këshilltarët që morën pjesë në seancë dhe mbështetën projektin, ndërsa ka bërë të ditur se pesë këshilltarët e APN-së munguan në seancë dhe nuk u bënë pjesë e procesit të vendimmarrjes.
Rexhepi ka vlerësuar se Instituti për Kulturë Shqiptare do të jetë një investim afatgjatë për identitetin kombëtar, historinë dhe kulturën shqiptare, duke shtuar se ky projekt përbën një tjetër premtim të realizuar nga KKSH.
“Ky është një investim për identitetin tonë, për historinë tonë dhe për brezat që do të vijnë. Me punë, përkushtim dhe vizion mund të ndërtojmë institucione të qëndrueshme në shërbim të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka deklaruar ai.
Kryetari i KKSH-së ka theksuar se puna për avancimin e të drejtave dhe institucioneve kombëtare shqiptare do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
