Blerta Deliu i reagon Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit i kërkoi Thaçit të deklarohet për korrigjimin e kufijve
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetares së Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Thaçi duhet të deklarohet para qytetarëve dhe t’i garantojë ata se ka hequr dorë nga ideja e tij për korrigjimin e kufijve.
Lidhur me këtë deklaratë, Deliu thotë se paranoja dhe të pavërteta të tilla kur provohen të bëhen prej pozicionit opozitar, mund edhe të kuptohet, por kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, sipas Deliut, e ofendon institucion që përfaqëson.
Të provosh të bësh politikë duke mbjellur paranoja, shpërndarë të pavërteta e përhapur mjegull mund të kuptohet në njëfarë mënyre prej pozicionit opozitar. Por, kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, ofendon institucionin që përfaqëson”, ka shkruar Deliu në Facebook.
Ajo tutje shtoi se “Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizëm përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese”.
Shkrimi i plotë i Blerta Deliu-Kodra në Facebook:
Të provosh të bësh politikë duke mbjellur paranoja, shpërndarë të pavërteta e përhapur mjegull mund të kuptohet në njëfarë mënyre prej pozicionit opozitar. Por, kur këtë e bënë prej pozicionit institucional, ofendon institucionin që përfaqëson.
Fati i Kosovës është përcaktim kolektiv dhe tingëllon qesharake kur provohet të reduktohet në një individ të vetëm, pavarësisht pozitës shtetërore që bart.
Kuvendi i Kosovës si institucion burimor i vullnetit të popullit është bartësi i vetëm i sovranitetit. Ai është deklaruar dhe çdo dilemë e ngritur me qëllim të personalizimit të kësaj çështje është thjesht një lojë e ulët politike për poena të ulët elektoral.
Një proverb i amerikanëve autoktonë (native americans) thotë: Tokën nuk e trashëgojmë nga paraardhësit, atë e huazojmë nga fëmijët tanë!
Integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm. Atë do t’ua dorëzojmë fëmijëve tanë në tërësinë që ua kem huazuar!
P.S. Politikat e personalizuara mund të jenë atraktive për masat dhe politikanët zbavitës, por lidershipi kërkon karizmë përbashkuese dhe jo kulturë përjashtuese