Petar Petkoviq: Kurti s’do t’marrë vizë për në SHBA derisa sulmon Serbinë

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ”nuk do të marrë vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shpejtë, derisa sulmon Beogradin zyrtar”.

Sipas tij kjo pritet të ndodhë ”derisa Kurti vazhdon ta sulmojë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq për shkak të bashkëpunimit me Rusinë”, shkruan b92, përcjell Klankosova.tv.

”Reputacioni ynë në arenën ndërkombëtare është ndërtuar nga politika e besueshme dhe e përgjegjshme e presidentit Vuçiq dhe nuk mund të lëkundet nga asgjë, më së paku nga intervistat dhe pamfletet politike të porositura të Kurtit”, tha Petkoviq duke iu referuar edhe një interviste të sotme të kryeministrit kosovar dhënë për median malazeze Popjeden.

Reagimet e Petkoviq vijnë edhe pasi Klan Kosova raportoi e para dje se kryeministri Kurti ka shtyrë vizitën e tij të paralajmëruar në nëntor për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Derisa edhe vet Kurti sot u deklarua në një konferencë për media duke thënë se në fillim të vitit 2022 do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por se agjendën nuk e bëri publike.