Haradinaj kërkon sqarime për marrëveshjen në Bruksel, gjen pika të papranueshme

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës sqarime për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel me Serbinë për çështjen e targave. Edhe ai, sikur partia tjetër opozitare LDK-ja, ka gjetur pika të cilat i ka konsideruar jo të mira për Kosovën.

“Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat. Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja është “e indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri”.

“Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje për sovranitetin e Kosovës! Po ashtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontroll ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën. Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!” ka përfunduar ai.