Gazeta serbe “Danas”: SHBA-ja e impresionuar me Kurtin, e shokuar me Vuçiqin

Administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Joe Biden, gjatë vazhdimit të negociatave mes Kosovës e Serbisë, do të ushtrojë më shumë presion ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se sa ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi.

Gazeta ditore ndër të vetmet të pavarura në Serbi, Danas raporton sot se një përfaqësues jozyrtar i qarqeve diplomatike nga Washingtoni i ka konfirmuar kësaj gazete se ‘në Washinton janë të impresionuar nga demokracia e Kurtit, ndërsa në anën tjetër janë të shokuar nga autoritarizimi i Vuçiqit.

Siç mëson Danas presidenti i Serbisë ka marrë kritika nga Departamenti Amerikan ndër të tjera, për “mungesën e sensit për dialog me kundërshtarët politikë, kontrollin e tepruar mbi media”, si dhe “deklaratat ndezëse të bëra shpesh nga ai dhe disa të bashkëpunëtorë të tij për fqinjët e Serbisë në Ballkanin Perëndimor “.

Sa i përket Kurtit, pretendohet se ai “gëzon mbështetjen e Amerikës në shumicën e segmenteve politike”, megjithëse konsiderohet një “bashkëbisedues më i pakëndshëm” i Amerikës sesa paraardhësi i tij në detyrë, Avdullah Hoti.

Në atë kontekst, theksohet se “Kurti dëshiron atë që përfaqëson administrata e Biden – që Kosova të marrë njohje nga Serbia”.

Burimi i gazetës Danas shpjegon se Amerika pret që Kurti të zbatojë reformat e premtuara, “veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit”, dhe të “llogarisë seriozisht” te Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila “ka lidhje politike në qarqet afër Biden”.

Sipas Danas Departamenti i Shtetit Amerikan ende jo zyrtarisht pretendon se Mattheë Palmer nuk do të qëndrojë për një kohë të gjatë në pozicionin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit në të ashtuquajturën “Byroja Evropiane”, që do të thotë se ai do të lirohet nga detyrat e tij si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.

Siç shpjegon ky burim për Danas “Karen Donfried, e cila do të emërohet Ndihmëse Sekretare e Shtetit e SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, e cila me siguri do të zgjedh një ekip të ri, duke përfshirë një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor”.