Rey Manaj shënon hat-trick për Barcelonën kundër Gimnastic

Rei Manaj do ta kujtojë gjatë miqësoren e sotme të Barcelonës me Gimnastik Tarragonën. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare debutoi në radhët e ekipit A të katalanasve dhe ishte ylli i ndeshjes, duke shënuar 3 gola në suksesin 4-0 të skuadrës.

Nuk është diçka që ndodh çdo ditë të shënosh 3 gola në një ndeshje me Barcelonën dhe sigurisht që Manaj ka qenë i entuziazmuar për atë që sapo ka realizuar me fanellën e këtij klubi, pas 1 viti e gjysmë si pjesë e tij.

“Do të marr topin si kujtim, dua që të ma firmosin të gjithë shokët e skuadrës”, ishin fjalët e para të Manajt pas përfundimit të ndeshjes.

“Dua të vazhdoj të punoj në mënyrë që ndeshja e sotme të mos jetë vetëm një kujtim. Këto ndeshje vlejnë që të gjejmë ritmin. Shfrytëzuam kartonin e kuq në pjesën e parë që të fitonim këtë ndeshje”, tha sulmuesi shqiptar i cili pavarësisht paraqitjes së sotme, nuk e ka të sigurt qëndrimin në radhët e katalanasve.